Për çfarë akuzohet Artan Grubi?

Ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ishte vënë në qendër të hetimeve nga organet e drejtësisë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ndërhyrje të paligjshme në procedura institucionale.

Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike

Hetimet lidhen me pretendime se Grubi ka ushtruar ndikim në vendimmarrje administrative dhe procese emërimesh, duke tejkaluar kompetencat e tij si funksionar i lartë shtetëror. Rasti konsiderohet pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion dhe abuzim me pushtetin në nivelet e larta të qeverisjes.

Prokuroria ka bërë të ditur se janë duke u analizuar dokumente, komunikime zyrtare dhe dëshmi të tjera që mund të hedhin dritë mbi rolin e tij në këtë çështje.

Grubi i kishte hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht dhe ka deklaruar publikisht se do të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për zbardhjen e plotë të rastit.

“Futja e Artan Grubit dhe Enver Bexhetit në listën e zezë është dëshmi se ndërhyrja politike në gjyqësor nuk mundet dhe nuk do të tolerohet. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të identifikojnë ata që janë të përfshirë në korrupsion të konsiderueshëm që minon institucionet demokratike dhe dëmton besimin e publikut.

Grubi dhe Bexheti janë përfshirë në korrupsion të madh duke minuar proceset gjyqësore të lidhura me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret. Askush nuk është mbi ligjin, dhe llogaridhënia është thelbësore për përparim,” kishte thene ambasadorja Ageller.