Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme për liri, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në fshatin Baran i Ulët, i Komunës së Pejës, e vendosur në shtëpinë e Riza Selcës, vëllait të dëshmorit Fetah Selca, shtëpi kjo që kishte shërbyer si Shtab lokal gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Po ashtu, gjatë ditës mori pjesë në zbulimin e pllakave përkujtimore edhe në fshatrat Vranoc dhe Kryshec, në kujtim të fillimit të luftës frontale në Komunën e Pejës, në nderim të rezistencës së njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me 29 maj 1998 në territorin e këtyre dy fshatrave.
Statusi i plotë i Haradinajt:
“Për të nderuar në mënyrë institucionale luftën çlirimtare dhe ata që ishin prapavija e saj, sot në Baran të Ulët mora pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore në shtëpinë ku ishte Shtabi Lokal i UÇK-së. Poashtu, në Vranoc dhe Kryshec, zbuluam pllaka që shënojnë vendet ku krisën pushkët e para të lirisë, në nderim të Betejës së 29 majit 1998, kur dhe filloi lufta frontale në territorin e komunës së Pejës. Këto përkujtimore do të shërbejnë si dëshmi të gjithëkohshme të historisë sonë më të re.RH”