Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton se ndaj të pandehurit M.I., ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë – Dega Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Sipas Prokurorisë, M.I., dyshohet se ia dha 7 mijë euro të dëmtuarit që i duheshin për shërim dhe e detyroi që për çdo muaj të paguante nga 700 euro.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera, ceket se ekziston dyshim i bazuar se i pandehuri me inicialet M.I., në qershor të vitit 2024, e në vazhdimësi në Rahovec, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë për vete, kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit H.F. Në atë mënyrë që i dëmtuari për shkak të gjendjes së rëndë financiare pasi i duheshin të holla për shërimin e tij, nga i njëjti merr të holla në shumë prej 7000 € (shtatëmijë euro) i cili për çdo muaj paguan shumën prej 700 € (shtatëqind euro)”, thuhet në njoftim.
Në njoftim thuhet se kësti i ardhshëm i ishte caktuar ta paguajë më së largu deri me datë 21 shkurt 2026.
“Deri me datën e inicimit të hetimit ka paguar kamatë me fajde shumën prej 14.000 € (katërmbëdhjetëmijë euro), me ç’rast ditën kritike me datë 21.02.2026 i njëjti është arrestuar nga ana e policisë gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore duke i pranuar të hollat në vlerë prej 700 euro nga i dëmtuari”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajdeja” nga neni 331, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
Bëhet e ditur se i pandehuri që nga data 21 shkurt 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprën penale të lartcekur.










