Deklarohen nga Komisioni për të Pagjeturit për rivarrimin e Agron Gjocajt

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur është deklaruar për rivarrimin e dëshmorit, Agron Gjocaj gjatë ditës së sotme në Baballoq të Deçanit, i cili ishte në Listën e Personave të Zhdukur deri në identifikimin e eshtrave të tij.

Përmes një njoftimi, ky Komision thotë se pas gjetjes dhe identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në respektim të kërkesës së familjes, u rivarrosën mbetjet mortore të tij, të cilat u gjetën gjatë vitit 2025.

“Sot në Varrezat e Dëshmorëve në Baballoq të Deçanit, me nderime ushtarake, u rivarros dëshmori i kombit Agron Gjocaj, i rënë më 18.08.1998, që ishte në Listën e Personave të Zhdukur deri në identifikimin e eshtrave të tij”.

“Ceremonia e rivarrimit u zhvillua në prani të familjarëve, bashkëluftëtarëve, qytetarëve dhe përfaqësuesve institucionalë, të cilët nderuan jetën dhe sakrificën e tij për lirinë e Kosovës”.

“Pas më shumë se 27 viteve ankthi, shprese dhe qëndrese dinjitoze, me peshën më të madhe të mbajtur nga familja e tij, Dëshmori Agron Gjocaj u rivarros me nderimin më të lartë në tokën e Kosovës së lirë që e deshi dhe për të cilin dha gjithçka”.

Më tej, Komisioni për të Pagjeturit thekson në njoftim se ky rivarrim, dhe çdo rivarrim, “është një rikujtim i fuqishëm se drejtësia nuk është përmbushur plotësisht dhe se ka ende familje që presin me ankth një përgjigje”.