Donald Trump po shqyrton plane për të vrarë djalin e Ajatollah Ali Khamenei, si pjesë e opsioneve ushtarake për një sulm ndaj Iranit.
Presidentit amerikan, sipas raportimeve, i janë paraqitur skenarë që përfshijnë fushatën e atentateve kundër udhëheqjes së Republikës Islamike, ku në listë figuron Mojtaba Khamenei bashkë me të atin.
Djali 55-vjeçar i liderit suprem është parë prej kohësh si pasardhësi më i mundshëm, falë lidhjeve të ngushta me Gardën Revolucionare, degë e fuqishme e forcave të armatosura që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, raporton gazeta britanike “The Telegraph”.
Mojtaba ka shërbyer gjithashtu në luftën Iran–Irak dhe ka studiuar teologji në qytetin e shenjtë të Qomit, duke përmbushur kërkesën kushtetuese për formim klerikal.
- Trump ende nuk ka vendosur nëse do ta godasë Iranin, raportoi faqja e lajmeve Axios. Ai mund të lejojë një marrëveshje që i jep regjimit të drejtën e një pasurimi bërthamor “simbolik”, për sa kohë që nuk ka rrugë drejt bombës atomike.
Por nëse dështojnë negociatat për programin e pasurimit bërthamor të Iranit, ndër opsionet në shqyrtim është edhe një fushatë dramatike atentatesh që synon ndryshim të plotë regjimi.
“Kanë diçka për çdo skenar. Një skenar eliminon Ajatollahun, djalin e tij dhe mullahët”, i tha Axios-it një zyrtar i lartë amerikan.
SHBA-ja ka dërguar më shumë se një të tretën e flotës së saj detare drejt Iranit dhe ka grumbulluar sasinë më të madhe të fuqisë ajrore në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut më 2003.
Analistët kanë vënë në dukje dislokimin e mbi dy të tretave të flotës së disponueshme të E-3 Sentry si shenjë se Trumpi është i përgatitur për veprim ushtarak, pasi radarët e këtyre avionëve zbulues janë thelbësorë për gjurmimin dhe drejtimin e raketave.
Të premten, Trumpi konfirmoi se po shqyrtonte një sulm “të kufizuar” ndaj Iranit për të ushtruar presion mbi regjimin që të arrijë një marrëveshje bërthamore.
Në teori, një goditje e tillë do të shfaqte fuqinë amerikane, por do të qëndronte nën pragun që do të provokonte një reagim serioz nga Teherani. Megjithatë, rreziqet e përshkallëzimit të konfliktit janë të dukshme.
Hapja e Shtëpisë së Bardhë ndaj vazhdimit të një programi të reduktuar pasurimi nga Irani, siç u konfirmua nga një zyrtar i lartë amerikan i cituar nga Axios, mund të krijojë hapësirë për marrëveshje dhe të shmangë luftën në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, media thekson se çdo propozim bërthamor nga Irani do të duhej të kalonte një prag shumë të lartë për të bindur skeptikët brenda administratës Trump se veprimi ushtarak nuk është i nevojshëm.
Mbetet e paqartë se si do të përkufizohej pasurimi “simbolik” dhe çfarë mbikëqyrjeje do të vendosej për të siguruar përputhshmërinë e Iranit. Irani nuk ka një histori të fortë të lejimit të inspektorëve bërthamorë të OKB-së për të monitoruar aktivitetet.
Zyrtari i lartë amerikan tha: “(Trumpi) do të jetë gati të pranojë një marrëveshje që është thelbësore dhe që ai mund ta shesë politikisht brenda vendit.
Nëse iranianët duan të parandalojnë një sulm, duhet të na japin një ofertë që nuk mund ta refuzojmë. Iranianët vazhdimisht po e humbin dritaren. Nëse luajnë lojëra, durimi nuk do të jetë i madh.”










