Një person është arrestuar në fshatin Llazicë të Malishevës nën dyshimet se ka inskenuar një rast të grabitjes.
Sipas policisë, i dyshuari me inicialet Xh. K, punëtor i një poste të shpejtë, kishte deklaruar se dy persona të dyshuar, nën kërcënimin e thikës, i kishin marrë një çantë me 1400 euro.
“ Pas pranimit të informatës, njësitet relevante policore në kuadër të Stacionit Policor në Malishevë dhe Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë reaguar menjëherë, duke ndërmarrë veprime intensive hetimore, përfshirë sigurimin e vendit të ngjarjes, mbledhjen dhe analizimin e provave, si dhe intervistimin e ankuesit.
“Si rezultat i punës profesionale, hetimeve të shpejta dhe analizës së gjithanshme të provave nga zyrtarët policorë, është arritur të konstatohet se rasti i raportuar nuk kishte ndodhur dhe ishte inskenuar nga vet ankuesi me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të mjeteve financiare. I dyshuari ka pranuar rastin dhe ka treguar vendin ku i kishte fshehur të hollat, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar”, thotë policia në një njoftim.
Mjetet financiare janë kthyer te pala përkatëse.
Me vendim të prokurorit kompetent, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Lajmërim apo kallëzim i rremë”, dhe i njëjti është ndaluar në mbajtje për 48 orë.










