Komisioni Evropian po pret që Kosova ta njoftojë zyrtarisht për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare në mënyrë që të nisë me pagesën e para-financimit nga Plani i Rritjes.
Një zëdhënës i Komisionit Evropian i tha Radios Evropa e Lirë se Kosova ka bërë kërkesë për lirimin e deri në 7 për qind të shumës totale të para-financimit nga Instrumenti për Reforma në Ballkanin Perëndimor, duke shtuar se pasi që marrëveshjet që lidhen me reformat e Planit të Rritjes janë ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës, shteti kualifikohet që të përfitojë para-financim.
“Sapo ligjet të shpallen zyrtarisht dhe kjo t’ia komunikojë zyrtarisht Komisionit, dhe me kusht që të përmbushen kushtet e përgjithshme [stabiliteti makroekonomik, menaxhimi i financave publike, transparenca dhe mbikëqyrja e buxhetit] dhe parakushtet [respektimi i mekanizmave demokratikë, angazhimi konstruktiv në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë] mund të bëhet lëshimi i fondeve nën Planin e Rritjes”, tha një zëdhënës i KE-së për Radion Evropa e Lirë.
Sipas rregullores së Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor, parakushtet dhe kushtet e përgjithshme duhet të vlerësohen çdo herë kur kryhet një pagesë. Kjo nënkupton se sapo marrëveshjet për kredi dhe e instrumentit të reformave hyjnë në fuqi, Bashkimi Evropian do të shpërndajë fondet e para-financimit, me kusht që të përmbushen kriteret për pagesën. Vlerësimi nëse janë plotësuar kushtet jepet para çdo pagese dhe ky rregull vlen për të gjitha shtetet përfituese nga Plani i Rritjes.
Më 13 shkurt, legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës ratifikoi marrëveshjet ndërkombëtare me Bashkimin Evropian. Këto marrëveshje kapin vlerën prej 882 milionë eurove.
Pakoja e BE-së për Ballkanin Perëndimor – për periudhën 2024-2027 – është në vlerë të 6 miliardë eurove. Nëse analizohen ndarjet buxhetore, Kosovës i takojnë rreth 882 milionë euro – 253 milionë si grante dhe 629 milionë euro në formë të kredisë – që do të thotë se përfiton më së shumti fonde në rajon për kokë banori.
Po ashtu u ratifikuan edhe dy marrëveshje të tjera të nevojshme për t’i siguruar fondet: atë që e mundëson paketën e planit dhe planin e reformave dhe tjetra për marrëveshjen e kredisë.










