Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2026.
Projektligji u miratua në shqyrtim të dytë me votat e 62 deputetëve, teksa 36 ishin kundër, shkruan Reporteri.net.
Vlera e buxhetit është rreth 4 miliardë euro.
Kryeministri Albin Kurti kur ka prezantuar projektligjin, ka bërë me dije se ky ligj përfshin edhe pagën e 13’të në sektorin publik.
Ai kishte thënë se kjo pagë do të ekzekutohet sapo të hyjë në fuqi Ligji për Buxhetin.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se ky është një buxhet emergjent dhe i përkohshëm.
Prioritetet e komunave dhe Qeverisë, ai tha se mund të shtohen apo reflektohen kur të bëhet rishikimi, në muajt e ardhshëm.
Nevojën për ta miratuar sa më shpejt buxhetin, ai e arsyetoi me bllokimin e prokurimeve të reja.
“Asnjë projekt nuk mund të inicohet prokurimi për shkak se nuk ka buxhet dhe nuk mund të bëhet zotimi i mjeteve për shkak se nuk është buxheti në fuqi”, tha Murati, para se të votohej projektligji.
PDK dhe LDK deklaruan se nuk e përkrahin buxhetin, meqë nuk janë përfshirë amandamentet e tyre në projektligj.
Ky projektligj kaloi në lexim të parë të hënën.










