Arrestohet ish-kandidati i VV-së për Kuvendin e Prishtinës, dyshohet se shiste kokainë

Ish-kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Kuvendin Komunal të Prishtinës, Kushtrim Ramdani, është arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës.

Ramadani, një emër i njohur në kryeqytet për shkak të drejtimit të tifo-grupit “Plisat”, është arrestuar nën dyshimet për blerje dhe shpërndarje të kokainës.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që gjatë kontrollit në lokalin e tij janë gjetur dhe konfiskuar: 4 gramë substancë,  dyshohet të jetë narkotike të llojit kokainë, peshore digjitale tre fishekë një revole, 1300 € dhe dy telefona. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhej në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Sinjali ka raportuar se i arrestuari është Kushtrim Ramadani, 34-vjeçar.

Ramadani dyshohet se shfrytëzonte lokalin e tij të ushqimeve të shpejta për të shpërndarë substanca narkotike.