Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur indinjatën e saj në lidhje me refuzimin e 21 amendamenteve të cilat grupi parlamentar i tyre i propozoi në buxhetin e Kosovës.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku në konferencën për media bashkë me deputetin Fadil Hadërgjonaj dhe Besian Mustafën prezantuan projektet që u refuzuan.
Lushaku i ka cilësuar tejet të rëndësishme projektet, të cilat u refuzuan.
“Në emër të grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kemi dalë këtu për të shprehur indinjatën tonë për refuzimin e 21 amendamenteve që kemi propozuar si grup parlamentar. Projekte të rëndësishme, tepër të rëndësishme për qytetarët e Kosovës, edhe kanë qenë projekte të cilat ne i kemi sjellë në Kuvend të bindur që pushteti do të ketë mirëkuptimin e vet edhe do ta kuptojë rëndësinë e këtyre projekteve. Më lejoni këtu që t’i përmend këto projekte, disa prej tyre, dhe të reflektojmë bashkë mbi rëndësinë e tyre. Pushteti ka refuzuar që t’i rritet buxheti Universitetit të Prishtinës. E ka refuzuar mësimin tërëditor si njërën nga projektet më të duhura për shkollat dhe për nxënësit, për familjet e Kosovës. E ka refuzuar unazën e kryeqytetit. E ka refuzuar ndërtimin e spitalit të kryeqytetit, një nga projektet më të rëndësishme që do të shkarkonte qendrën universitare të shëndetësisë. Ka refuzuar një varg projektesh që janë në interes të këtyre komunave, ujësjellës në Lipjan, ka refuzuar projekte të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimin e ujësjellësve edhe në komuna të tjera si Skenderaj ose Istogu. Ka refuzuar një projekt tepër të rëndësishëm që do t’i modernizonte shkollat e Kosovës, në fakt digjitalizimin e shkollave dhe hyrjen e inteligjencës artificiale. Shumë shkolla kanë kushte dhe do të mund të fillonin një projekt të tillë. Ka refuzuar digjitalizimin e të dhënave për kulturë dhe turizëm, një projekt tepër i rëndësishëm që do të ndërtonte një hartë vizuale rreth kapaciteteve tona kulturore në Kosovë”, tha Lushaku.
Ajo po ashtu tha se janë refuzuar edhe projekte që kanë të bëjnë me KEK-un dhe ndërtimin e një shkolle në Kaçanik si dhe sallën koncertale të Kosovës.
“Ka refuzuar gjithashtu projekte që kanë të bëjnë me KEK-un. Ka refuzuar ndërtimin e një shkolle në Kaçanik. Ka refuzuar gjithashtu sallën koncertale të Kosovës, një nga projektet më të rëndësishme kulturore, keni parasysh që sot koncertet në nivelin qendror bëhen në salla të edukatës fizike. Me këtë rast dëshirojmë që t’ju drejtohemi qytetarëve me keqardhje për mosmirëkuptimin nga pushteti për t’i futur në buxhet këto projekte. Dhe dëshiroj të them që një projekt si mësimi tërëditor që ua përmirëson jetën direkt qytetarëve, e përmirëson cilësinë e arsimit, implementimin e kurrikulave që sot shpeshherë nuk arrijnë që të realizohen brenda klasave tona, është vërtet mëkat që të mos jetë pjesë e këtij buxheti. Ndërkohë që ua kujtoj që edhe kryeministri edhe partia në pushtet e kanë pasur mësimin tërëditor njërën ndër kauzat kryesore edhe në nivel komunal edhe në nivel qendror. Është tepër e rëndësishme me u bë e ditur që kur e premton një diçka, duhet me qenë të gatshëm edhe në momente vendimtare me e fut në buxhet. Ne do të insistojmë edhe sot në seancë që këto projekte të futen në buxhet, por sipas të gjitha gjasave nuk do të kemi mbështetje, por rrjedhimisht nuk do të paraqesim përkrahjen tonë për buxhetin e tërsishëm nëse projektet tona, amendamentet tona nuk do të jenë aty“, tha ajo.









