Vendimi për ndryshimin e orarit mësimor, reagon drejtori i arsimit në Prishtinë

Drejtori i Arsimit të Komunës së Prishtinës, Samir Shahini ka dalë me reagim, pasi drejtoria vendosi që ta përshtas orarin me muajin e Ramazanit.

Në opinion ka pasur shumë reagime, disa e kanë përshëndetur si akt lehtësimi, ndërsa të tjerë kanë thënë se vendimi cenon natyrën e shtetit laik të Kosovës.

Por Shahini ka thënë se nuk është cenuar Kushtetuta e Kosovës dhe as nuk është shkurtuar orari.

Ai ka thënë se vetëm mësimi fillon më herët, kjo ka ardhur pas shumë kërkesave të drejtorëve të shkollave, mësimdhënësve, prindërve e nxënëseve.

Më poshtë postimi i plotë:

Po ndjek me vëmendje diskutimet lidhur me orarin mësimor në shkollat e kryeqytetit dhe e shoh të domosdoshme një sqarim të qartë.

Së pari, orari mësimor nuk është shkurtuar. Ora mësimore mbetet 45 minuta, pa asnjë ndryshim në kohëzgjatje. Programi nuk është prekur dhe asnjë orë nuk është hequr.

Ndryshimi lidhet vetëm me organizimin e fillimit dhe përfundimit të procesit mësimor gjatë ditës. Pra, kemi një lehtësim të përkohshëm të orarit, jo reduktim të mësimit.

Ky vendim nuk ka ardhur nga ndonjë qasje ideologjike, por nga realiteti praktik i shkollave. Në Drejtorinë e Arsimit kemi pranuar shumë kërkesa nga drejtorë, mësimdhënës, prindër dhe nxënës për riorganizim të orarit gjatë kësaj periudhe. Vetëm nga raportimet e mësimdhënësve, një pjesë e konsiderueshme e prindërve kanë shprehur vështirësi konkrete në organizimin e marrjes së fëmijëve në orët e fundit. Kur përballesh me një situatë të tillë, institucioni ka detyrë të tregojë fleksibilitet dhe ndjeshmëri, në funksion të mirëqenies së nxënësve dhe mbarëvajtjes së procesit mësimor.

Është me rëndësi të theksohet: në shkollat publike nuk ka simbole fetare, nuk ka predikime fetare dhe procesi mësimor zhvillohet mbi baza profesionale dhe laike. Edhe ky riorganizim i përkohshëm është vetëm një lehtësim administrativ dhe organizativ. Ai nuk cenon karakterin laik të institucioneve arsimore dhe nuk prek në asnjë formë Kushtetutën e Republika e Kosovës. Pikë.

Laiciteti nënkupton neutralitet dhe barazi për të gjithë, jo injorim të realitetit shoqëror. Neutraliteti nuk do të thotë mungesë ndjeshmërie. Askush nuk detyrohet të agjërojë, nuk ndryshohet përmbajtja mësimore dhe nuk institucionalizohet feja. Po flasim për organizim orari – një rregullim praktik dhe të përkohshëm, në funksion të ruajtjes së energjisë, përqendrimit dhe qetësisë së nxënësve.

Institucionet publike marrin vendime duke pasur parasysh kontekstin social dhe përgjegjësinë ndaj komunitetit. Qëllimi ynë është i qartë: mbarëvajtja e procesit edukativo-arsimor dhe mirëqenia e komunitetit shkollor.

Ftoj për qetësi, racionalitet dhe respekt ndaj institucioneve dhe Ju lus, të mos e keqinterpretoni këtë vendim.

Ne jemi NJË shoqëri dhe empatia, mirëkuptimi dhe respekti reciprok duhet të jenë baza e veprimeve tona. Qëllimi ynë nuk është të ndajmë apo të favorizojmë askënd, por të gjejmë zgjidhje praktike që i shërbejnë të gjithëve, duke ruajtur funksionimin normal të procesit mësimor dhe mirëqenien e komunitetit.