Eugen Cakolli nga KDI-ja ka reaguar ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për të ndryshuar orarin e mësimit në shkolla shkaku i muajit të Ramazanit.
Cakolli e ka cilësuar si vendim të gabuar sepse vendos fenë si arsye formale të organizimit institucional dhe i largon shkollat publike nga baza pedagogjike.
“Vendimi i Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë për ta riorganizuar orarin e shkollave – duke e arsyetuar zyrtarisht me fillimin e muajit të Ramazanit – është i gabuar, sepse e vendos fenë si arsye formale të organizimit institucional dhe i largon shkollat publike nga baza pedagogjike”, ka thënë Cakolli.
“Liria fetare është individuale dhe duhet respektuar si e tillë. Askush nuk e vë në diskutim agjërimin apo dinjitetin e besimtarëve. Por kur një institucion publik e lidh vendimin e vet me një praktikë fetare, karakteri laik i institucioneve publike fillon të cenohet”, ka thënë ai.
Sipas tij, mirëkuptimi për nxënës që agjërojnë është normal.
“Por, ndryshimi i gjithë orarit “për shkak të Ramazanit” tregon orientim institucional sipas një reference fetare. E vendimet publike nuk duhet të mbështeten mbi referenca fetare, sepse kjo i jep politikës një terren të panevojshëm simbolik”, ka argumentuar ai.
“Kjo nuk është çështje anti-fetare, por e standardit institucional. Arsimi publik në Prishtinë ka nevojë për fokus te cilësia dhe rregulli i njëjtë për të gjithë, jo për vendime që i japin politikës hapësirë të “flirtojë” me elemente fetare nën petkun e ‘respektit’”, ka thënë ai.










