Trump përmend përsëri ndalimin e luftës Kosovë-Serbi: Nëse s’po ia dilni, më thirrni dhe e zgjidhim

Presidenti amerikan, Donald Trump, në hapje të takimit të parë të Bordit të Paqes, sërish ka deklaruar se ka ndikuar në ndaljen e një lufte të mundshme në mes të Kosovës dhe të Serbisë. Duke folur në fjalimin hapës, Trumpi ka përmendur disa konflikte që pretendon se i ka ndalur.

“Shembull, Kosovë-Serbi, e kam bërë këtë. A mund të ngriteni ju lutem? Kosova-Serbia. Ju vlerësojmë. Dhe po ia dilni, e kur nuk ia dilni, më thirrni e ne do ta zgjidhim”, ka thënë ai.

Trumpi gjithashtu ka përshëndetur presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, gjatë fjalimit të tij në Bordin e Paqes që po mbahet në Washington.

Ai tha se Vjosa Osmani po bën një punë shumë të mirë.

Trump gjithashtu përshëndeti kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën.

“Jemi të nderuar që na është bashkuar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Sot jemi të nderuar se na bashkohet kryeministri Rama i Shqipërisë. Presidenti i Argjentinës, e mbështes. Kur më pëlqejnë njerëzit i mbështes.

Tani mbështes liderët e huaj, duke përfshirë Viktor Orbanin e Hungarisë. Kam mbështetur kryeministren e Japonisë që fitoi garën më të fundit. Kemi presidenten Osmani, faleminderit, po bëni një punë të madhe”, u shpreh Trump.