Komisioni për Buxhet e ka aprovuar kërkesën e Komunës së Prishtinës që buxheti i aprovuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës të përfshihet në buxhetin për vitin 2026.
Në mbledhjen e Komisionit, në të cilën po shqyrtohet projektligji për buxhetin e këtij viti, që të premten pritet të shqyrtohet në lexim të dytë në Kuvend, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se deri më tani buxhetin e kanë përmbyllur Komuna e Prishtinës dhe Shtimes dhe rekomandimi është që të përfshihen si amandamente.
“Dje e kam marrë buxhetin e Prishtinës, e jo ashtu siç flitej”, ka thënë Murati.
“Rekomandimi është që Komisioni t’i shtojë te pjesa tabelare ashtu siç janë dorëzuar dhe të përfshihet”, ka shtuar ai.
Sipas tij, Komuna e Zubin-Potokut nuk e ka dorëzuar buxhetin ashtu siç kërkohet dhe se për këtë nuk mund të përshihet.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kërkuar të sqarohet se cili amandament po votohet, ai i deputetit të LDK-së Besian Mustafa, kërkesa e Komunës së Prishtinës, apo amandament tjetër nga Komisioni.
Një sqarim të njëjtë e kërkoi edhe deputeti Besian Mustafa, i cili tha se qëllimi është që buxheti i Prishtinës të përshihet në tabelat e ligjit buxheti për 2026.
Deputetja e Listës Serbe, Verica Ceraniq tha se po lihen anash komunat me shumicë serbe.
Por, Murati ka thënë se kjo nuk është e vërtetë dhe se mospërfshirja e buxhetit të Zubin-Potokut është çështje tjetër, për shkak se Komuna e ka aprovuar me vonesë buxhetin.
Edhe nga zyrtarët e Ministrisë u tha se në momentin që e dorëzojnë do të përshihet në buxhet.
Me 10 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Komisioni për buxhet vendosi që Buxheti i miratuar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës të përfshihet në buxhet.
Njësoj u votua edhe për buxhetin e miratuar nga Kuvendi Komunal i Shtimes.










