Ramush Haradinaj i gatshëm për president, pa marrëveshje politike s’ka votë

Rreth idesë që Ramush Haradinaj të jetë president i Kosovës, ka folur deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai tha se kryetari i AAK-së është “ofruar si mundësi” nëse duan të bëjnë zgjidhje, dhe se, ata kanë synuar t’i bëjnë 30 nënshkrimet që të “jemi kundërkandidat”.

“Ne kemi synu t’i marrim nënshkrimet, t’i bëjmë 30 nënshkrime dhe të jemi kundërkandidat. Në atë fazë jemi për momentin, shpresojmë të gjejmë mirëkuptimin. Nëse viktimizohet dikush, atëherë Ramushi është shprehë i gatshëm.

Nëse mazhoranca ekziston në VV, plus komunitetet e zgjedhim Vjosën, ne s’kemi, se s’jemi tu i bë naj nder Ramushit, por nëse dojm më bë naj zgjidhje ja’u kemi ofru një mundësi. E para, nuk i bëjmë numrat veç na me LDK, matematikë është 30 nënshkrime plus”, ka deklaruar Haradinaj në T7.

Ai vlerësoi se kushdo që rrin në sallën e Kuvendit gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të ri, pa një marrëveshje politike, është i “shitun”.

“Kushdo që rrin në sallë është i shitun, është direkt i shitun. Pa një marrëveshje politike, kushdo që rrin në sallë s’ka bë kalkulime politike, por individuale”, ka thënë ai.

Deputeti i AAK-së, theksoi edhe se, për momentin s’ka “diskutim të kësaj forme” as me Partinë Demokratike të Kosovës, e as me Lidhjen Demokratike.