ZKA kërkon mbi 654 mijë euro shtesë, por Komisioni nuk e miraton kërkesën

Zyra Kombëtare e Auditimit ka kërkuar mbi 654 mijë euro buxhet shtesë nga shuma e përgjithshme e paraparë në Projetkligjin për Buxhetin e vitit 2026.

Kjo pasi nga kjo zyre thanë se duhet të rekrutojnë staf shtesë e po ashtu u duhet buxhet edhe për mallra, shërbime e kategori tjera.

“Këto 10 pozita të reja kemi kërkuar t’i mbulojmë për auditimin e fondeve të BE-së”, ka sqaruar drejtori i përgjithshëm i ZKA-së, Safet Berisha.

Kërkesa e kësaj zyre është duke u shqyrtuar në Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave. Kryesuesi i komisionit, deputeti i PDK-së, Arben Mustafa paraqiti kërkesën e ZKA-së dhe projeksionet e parapara për sivjet.

“ZKA ka kërkuar 654 mijë e 18 euro buxhet shtesë nga ajo që është paraparë. ZKA ka 185 punëtorë dhe ka në planifikim edhe 10 punëtorë shtesë. 2 milionë e ka buxhetin për paga dhe mëditje. Po ashtu kërkesa e tyre është edhe për mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, shpenzime kapitale”, ka deklaruar Mustafa.

Anëtarët e komisionit nga radhët e LVV-së kërkuan që në këtë fazë të mos bëhen ndryshime në buxhet.

Sipas tyre, kërkesat e institucioneve publike mund të përfshihen në buxhet kur të bëhet rishikimi i tij muajin e ardhshëm.

“Kërkesa është e arsyeshme. Në këtë fazë do të kemi shume kërkesa nga shumë organizata buxhetore. Në këtë fazë, kryesisht janë kërkesa që kanë të bëjnë me paga e mallra dhe shërbime te cilat akomodohen brenda buxhetit shumë lehtë kur të bëhet rishikimi i buxhetit. Prandaj në këtë fazë mendoj se nuk duhet të bëjmë ndryshime në buxhet pasi edhe ashtu seanca është nesër. Për shkak se muajin tjetër do të nisë rishikimi i buxhetit dhe të gjitha kërkesat mund të përfshihen në buxhet”, ka deklaruar deputeti i LVV-së, Hysen Durmishi.

Mirëpo këtë e kundërshtuan deputetë të opozitës.

“Kërkoj me kujdes të shqyrtojmë kërkesat e tyre. Këto janë në përputhje me Ligjin e Pagave e rregullore tjera. Nëse këtyre ju ndalim këtë mundësi, në fund të vitit ne kemi me qenë përgjegjës për mosrealizimin e planit të ZKA-së. Unë besoj që sot ose duhet ta miratojmë kërkesën e tyre ose mazhoranca të marrë zotim, që këto të shkojnë përpara”, ka deklaruar deputëti i LDK-së, Avdullah Hoti.

Edhe nga PDK kërkuan që sot të miratohet kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Mirëpo, me 3 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, kërkesa e Zyrës Kombëtare të Auditimit nuk u miratua.