Gazetari Vehbi Kajtazi ka rikujtuar deklarata të presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe raportet mes LDK-së dhe UÇK-së gjatë periudhës së luftës.
Sipas Kajtazit, në disa raste publike, Rugova kishte thënë se UÇK-ja ishte “dorë e zgjatur e Serbisë”, duke shtuar se arsyet pse ai e shprehte një qëndrim të tillë i dinte më së miri vetë Rugova. Ai thekson se në të njëjtën kohë, Lëvizja Popullore për Çlirimin e Kosovës (LPK) e kishte cilësuar Rugovën si “njeri të Serbisë”.
Kajtazi vlerëson se zhvillim pozitiv ishte fakti që UÇK-ja u shkëput nga LPK-ja me orientim marksist, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) u rreshtua në krah të UÇK-së në Konferencën e Rambujesë.
Duke iu referuar proceseve gjyqësore aktuale ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, ai thotë se sipas Prokurorisë po flitet për një “platformë kundër LDK-së deri në shfarosje”, me arsyetimin se LDK ishte kundër UÇK-së, por, sipas tij, nuk po përmendet fakti se vetë Rugova, në një periudhë, kishte deklaruar se UÇK-ja ishte dorë e zgjatur e Serbisë.
Në reagimin e tij, Kajtazi thekson se, pavarësisht përplasjeve dhe dallimeve në qasje, LDK dhe UÇK ishin të pandara dhe kishin një qëllim të përbashkët: çlirimin e Kosovës. Ai shton se është absurde të gjykohet UÇK-ja për përndjekje dhe vrasje të njerëzve të LDK-së, duke kërkuar një qasje më të drejtë dhe të balancuar ndaj kësaj periudhe historike.









