Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka udhëtuar ndrejt Washingtonit, ku do të marrë pjesë në Takimin Inaugurues të Bordit të Paqes. Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi të bërë nga ana e presidencës.
Aty shtohet edhe se, Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në këtë bord, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit.
“Presidentja Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.
“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, ka theksuar Presidentja Osmani”, thuhet në njoftim.










