Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar pas fjalëve përmbyllëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit në Hagë.
Hamza ka thënë se sot u dëgjua zëri i popullit të Kosovës që luftoi për mbijetesë dhe liri.
“Emocione të veçanta, dhimbje për peshën historike, por mbi të gjitha krenari për guximin dhe dinjitetin e tyre”, ka thënë Hamza.
“Nga presidenti Thaçi, kryetari Veseli, baci Jakup e Rexha, sot e dëgjuam zërin e popullit tonë që luftoi për mbijetesë dhe liri. Ata folën për sakrificën, dhimbjen dhe të vërtetën tonë”, ka thënë ai.
“Këtë të vërtetë askush nuk do të mund ta relativizojë. Askush nuk do të mund ta zbehë. Askush nuk do të mund ta tjetërsojë. Sepse, askush nuk ka mandat ta njollosë sakrificën e popullit tonë”, ka thënë Hamza.
Ai në fund shkroi se Kosova pret drejtësi. Kosova pret t’i kthehen bijtë e vet.










