“Nuk vendosim lule për Rugovën”, si i “hëngri” fjalët e veta Albulena Haxhiu

Albulena Haxhiu jo e veshur me pushtet në vitin 2018 ishte e palëkundur në qëndrimin e partisë së saj se nuk ka lule varri për të nderuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova.

Mirëpo tetë vjet pas, Haxhiu tani e veshur me pushtetin e kryetares së Kuvendit, për 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, la kurora lulesh bashkë me presidenten Vjosa Osmani e kryeministrin Albin Kurti, bash te varri i presidentit Rugova, duke hëngër kështu fjalët e veta prej një partiakeje.

Haxhiu po i reagonte nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri që deklaronte se VV-ja për të pasur koalicion me partinë e tij, do të duhej të dërgonte kurorë lulesh te varri i ish-udhëheqësit të LDK-së, Rugovës.

Haxhiu në vitin 2018 insistonte se VV-ja dërgon lule vetëm tek varret e dëshmorëve, teksa Rugovën e cilësonte vetëm politikan.

“Ne dërgojmë lule tek dëshmorët e kombit siç është Adem Jashari e Zahir Pajaziti e të tjerët por për politikanë siç ishte edhe zotëri Rugova ne nuk e kemi praktikuar nuk është që e kemi kundërshtuar por nuk e kemi praktikuar thjeshtë. Për ne dëshmorët e kombit përkulemi gjithmonë para kontributit të tyre por z. Rugova ka qenë një figurë politikë në këtë rast president i Kosovës prandaj konsideroj që akuzat e tilla në drejtim të VV-së janë të papranueshme dhe natyrisht që ne nuk merremi me të tilla. Nuk konsiderojmë që ka qenë vetëm kontributi i z. Rugova për pavarësinë e Kosovës ose për historinë e popullit shqiptarë”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, si kryetare e Kuvendit tha se Rugova kishte vizion për Kosovë të pavarur, demokratike dhe të integruar në botën perëndimore.