“Pamë njerëz me uniforma e të armatosur”, flet dëshmitari nga Maqedonia për rastin e Banjskës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën në seancën ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, po dëgjohet dëshmitari Goran Tanevski.

Ai ka thënë se në ditën kritike kishte shkuar bashkë me familjen e tij si turistë për të vizituar Banjskën dhe Manastirin.

Më tej ai ka deklaruar se në ditën që kanë ndodhur të shtënat, kanë parë shumë njerëz me uniforma.

“Ne kemi ardhë me 22.09.2024 të premten ne Banjskë, unë, shoqja ime, motra ime, fëmija im dhe dhëndri im. Ideja ishte të pushojmë në Banjë dhe ta vizitojmë Manastirin. Vizita ka qenë private me automjet privat dhe me një pjesë të familjarëve të mi. Deri në ditën e ndodhjes në atë mëngjes nuk kam parë persona që nuk janë dukur që nuk janë turistë. Në ditën që ndodhën dëgjoheshin gjuajtje, ne nuk mund të shihnim asnjë, por në atë mëngjes kemi parë njerëz të uniformuar pranë hotelit jashtë, dhe një në hotel. Njerëzit që i pamë jashtë hotelit, i pamë dy veta në uniformë, pa shenja dhe me armë ushtarake. Ai që ishte në hotel, mund të ia shihnim vetëm pushkën dhe jo uniformen, ne ishim poshtë shkallëve kurse ai po kërkonte batanije.

Nën dritaren të cilën ishim vendosur ne, ai person ishte me uniformë me municione kishte bombë. Siç ju thash, ai që ishte brenda në hotel nuk e pamë, vetëm pushkën ia pamë dhe mund ta dëgjonim. Unë isha në pjesë tjetër ndërsa gruaja i ka dhënë batanije. Ne u nisem për të dalë, por na u tha që të kthehemi në hotel. Dikush na tha prej jashtë hotelit që të hynim brenda dhe të kthehemi, sepse doja ta shihja automjetin a është në rregull. Personi që na tha mendoj që ishte një nga personat e uniformuar. Mendoj se kishte arme me vete. Ai ka komunikuar serbisht”, ka thënë ai.