Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka theksuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë dhe e domosdoshme.
Gjatë fjalës së tij të mërkurën në hapjen e Konferencën e Dytë Shkencore Ndërkombëtare të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë “Nga lufta në rimëkëmbje”, ai shtoi se seancat gjyqësore që po zhvillohen në Hagë, nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialistë të luftës së Kosovës.
“Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialistë të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor”, tha kreu i qeverisë.
Ndërkohë sot në Hagë katërshja e UÇK-së thotë fjalët përfundimtare.










