Pjesëtarët e Policisë, në tri lokacione të ndara sekuestruan municion, granata dore dhe mjete të tjera ilegale, njoftoi Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.
Policia, siç është bërë e ditur, informacionet i ka pranuar nga qytetarët, dhe me atë rast ka kryer kontroll në tri lokacione në veri të Kosovës, transmeton Paparaci.
Rasti i parë, saktësohet, është regjistruar rreth orës 01:20 në një shtëpi të pabanuar në fshatin Jagnjenicë, komuna e Zubin Potokut, ku janë gjetur dhe sekuestruar 95 fishekë të kalibrave të ndryshëm, si dhe një emblemë dhe disa epoleta të Policisë së Serbisë.
Rasti i dytë, shtojnë ata, ka ndodhur rreth orës 09:20 në hambarin e një shtëpie të braktisur në fshatin Zhitkovc, komuna e Zveçanit. Me atë rast është sekuestruar një pushkë e markës kallashnikov AK-47, një granatë dore M-57 e prodhimit jugosllav, tre karikatorë të zbrazët për AK-47, 85 fishekë të kalibrit 7.9 mm, 60 fishekë për AK-47, si dhe dy uniforma ushtarake me emblema të Serbisë, njoftoi Policia e Kosovës.
Rasti i tretë është evidentuar rreth orës 12:20 në një shtëpi të pabanuar në fshatin Varagë, komuna e Zubin Potokut, ku janë gjetur një granatë dore dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm.
Në Zhitkovc dhe Varagë, sipas Policisë së Kosovës, kanë dalë edhe njësitë për largimin e mjeteve shpërthyese (EOD), të cilat i kanë larguar mjetet shpërthyese në mënyrë të kontrolluar.
Nga Policia e Kosovës gjithashtu bëhet e ditur se të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me prokurorin, i cili, siç thuhet, ka urdhëruar hapjen e rasteve për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Lidhur me këto raste nuk ka persona të arrestuar./Paparaci.com











