Prekazi është qendra, ku shumë qytetarë e bashkëluftëtarë nderojnë familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij në Kompleksin Memorial në Prekaz, edhe në këtë përvvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe sot homazhe në këtë vend kthese për historinë e Kosovës, bëri kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari. Ai tha se bashkëluftëtarët kanë si mësim se liria është e qëndrueshme kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmorëve.
Jashari nga Prekazi historik ua uroi pavarësinë e Kosovës krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë. Ai shpreson që katërshja e UÇK-së do të lirohet nga akuzat e Prokurorisë Speciale, të cilat, siç tha ai, janë përpunuar në Serbi.
“Na lanë një mësim se liria është e qëndrueshme atëherë kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmitarëve. Nga ky vend u uroj këtë ditë të shënuar krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen atje nga një gjykatë politike krejtësisht e njëanshme. Shpresojmë dhe besojmë që verdikti përfundimtar gjykata të mos marrë vendim politik dhe t’i lirojë krerët e UÇK-së nga kjo akuzë e shpifur, nga kjo aktakuzë e përpunuar në Beograd. Kërkesa e Prokurorisë speciale na bënë të dyshojmë dhe një kërkesë e tillë sikur edhe po shihet me veprimet e ZPS-së është marrë në Beograd dhe është përkthyer në Gjykatën Speciale në Hagë…Lufta e lavdishme e UÇK-së nuk i ka takuar dhe nuk i takon asnjë partie politike, është vlerë e popullit dhe si të tillë duhet ta ruajmë, ta çmojnë, ta respektojmë dhe t’i japim vendin meritor“, tha ai.







