Dushi: 18-vjetori i Pavarësisë e gjen Kosovën nën dilema të thella politike dhe krizë besimi

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Florian Dushi thotë se në vend të atmosferës së festës dhe reflektimit shtetëror në 18-vjetorin e pavarësisë, Republika e Kosovës po hyn në këtë përvjetor nën hijen e dilemave të rënda politike, institucionale dhe shoqërore.

Dushi vlerëson se Qeveria Kurti 3 është e mbështetur nga një shumicë formale, por pa bilanc rezultatesh.

“Një shumicë e konsoliduar numerikisht por jo edhe politikisht, e ndërtuar nga një parti që në pesë vitet e kaluara të qeverisjes nuk ka prodhuar rezultatet e premtuara. Mes pritjeve të larta dhe realitetit të zymtë, hendeku mbetet i dukshëm – si në zhvillimin ekonomik, ashtu edhe në forcimin e institucioneve dhe përmirësimin e mirëqenies qytetare në përgjithësi”.

Më tej ai thekson se kjo qeveri është produkt i një narrative që dikur mohonte shtetin dhe me të Kosova po përballet me izolim, destabilitet dhe krizë besimi.

“Paradoksi politik bëhet edhe më i theksuar kur pushteti ushtrohet nga një subjekt që ngritjen e vet e ndërtoi mbi retorikën e mohimit të shtetit, simboleve të tij. Transformimi i tillë nuk është problem në vetvete nëse shoqërohet me reflektim e përgjegjësi; por kur ai shihet si oportunizëm politik, ushqen cinizëm dhe ndarje të reja në shoqëri”.

Dushi po ashtu bën të ditur se Qeveria e Albin Kurtit po vë hije mbi luftën çlirimtare.

“Gjykata e Specializuar në Hagë, një mekanizëm që u themelua nën peshën e një akuze publike të çmendur – dyshimet për trafikim organesh – sot perceptohet nga shumëkush si një mekanizëm i devijuar nga qëllimi i saj fillestar. Rreziku nga mënyra se si procesi është duke u zhvilluar pranë kësaj gjykate nuk është vetëm juridik, por historik dhe moral: që narrativa mbi luftën për liri të relativizohet, duke goditur vetë themelet e shtetësisë së Kosovës”.

Sipass nënkryetarit Dushi, përvjetorët e pavarësisë nuk janë vetëm ditë feste. Janë momente bilanci e reflektimi nga secili prej nesh varësisht nga përgjegjësitë publike që kemi.

“Bilanci i sivjetmë kërkon më shumë se retorikë: kërkon reflektim, përgjegjësi dhe rikthim tek parimet themelore të demokracisë, legjitimitetit dhe interesit qytetar e shtetëror”.