Prokurori kërkon që Nika të shpallet fajtor për vrasjen e shtetases argjentinase

Gjyqi ndaj Endrit Nikës, i akuzuar për vrasjen e shtetases argjentinase, partneres së tij, Maria Clara Urdangaray, po shkon drejt përfundimit.

Në seancën e sotme, prokurori i çështjes, Armend Hamiti, paraqiti fjalën përfundimtare, duke kërkuar shpalljen fajtor të të pandehurit sipas aktakuzës.

“Ngjarja e saj nuk është thjesht një dosje, por një histori dhune, kontrolli dhe tragjedie personale. Ne e dimë fatkeqësisht se drejtësia nuk mund ta rikthejë jetën e saj, por mund të tregojë se jeta e saj kishte vlerë dhe se dhuna nuk mund të tolerohet. Përgjegjësia, i nderuar trup gjykues, ka emër,  Endrit Nika. Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në bazë të deklarimit të vetë të akuzuarit, në bazë të ekspertizave dhe duke vlerësuar me kujdes rrethanat rënduese dhe ato lehtësuese, nëse gjykata vlerëson se ekzistojnë të tilla, Prokuroria kërkon që i akuzuari Endrit Nika të shpallet fajtor sipas aktakuzës për shkaktimin e vdekjes së Maria Clara Urdangaray dhe ndaj tij të shqiptohet dënimi i paraparë me ligj”, tha ai.