Vuçiqi u ankua për bashkëpunimin ushtarak Kosovë-Shqipëri-Kroaci, i përgjigjet ministri kroat

Pas kritikave të reja të presidentit serb Alleksandar Vuçiq, i cili të enjten e quajti bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë një kërcënim të drejtpërdrejtë për Serbinë, të premten i është përgjigjur ministri kroat i mbrojtjes, Ivan Anushiq.

Gjatë konferencës së sigurisë në Munih, Anushiq u takua me ministrat e mbrojtjes të Shqipërisë dhe Kosovës, duke theksuar se Deklarata për bashkëpunim mbrojtës mes tyre, e miratuar vitin e kaluar, “nuk cenon askënd”.

“Deklaratën që nënshkruam vitin e kaluar po e zbatojmë, po punojmë së bashku, po krijojmë aktivitete të përbashkëta dhe mbështetje teknike për industrinë e mbrojtjes dhe bashkëpunimin e forcave tona të armatosura. Në atë deklaratë nuk ka absolutisht asgjë të diskutueshme dhe, sigurisht, nuk po kërcënojmë askënd me të. Duhet ta theksoj këtë sepse, siç duket, është tema numër një në mediat rajonale. Kemi plane të reja, takime të reja dhe aktivitete të reja edhe këtë vit”, deklaroi ministri kroat i mbrojtjes, sipas njoftimit të Ministrisë kroate të Mbrojtjes.

Autoritetet në Beograd e konsiderojnë bashkëpunimin ushtarak të Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si “të drejtuar kundër Serbisë dhe popullit serb”. Për këtë shpesh flet edhe Vuçiqi, duke pyetur se “çfarë u duhet Kroacisë dhe Shqipërisë një aleancë ushtarake kur tashmë janë pjesë e NATO-s”.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në Munih, Anushiq theksoi se Kroacia angazhohet për stabilitet dhe për forcimin e NATO-s.

“NATO është aleanca më e fuqishme ushtarake në botë dhe ky aleancë duhet t’i mbijetojë kësaj krize. Shpresoj sinqerisht se do t’ia dalë. Kroacia do të angazhohet që kjo të ndodhë”, u shpreh ministri kroat i mbrojtjes, Ivan Anushiq.