PDK, LDK dhe AAK nuk janë pajtuar për të votuar procedurën e propozuar për Projektbuxhetin e vitit 2026, që është paraparë të hidhet në votim për lexim të parë në Kuvend.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi që të shmangen afatet procedurale, por opozita nuk e mbështeti dhe e kritikoi.
Pas dakordimit të shefave të grupeve parlamentare, seanca për buxhetin shtyhet për të hënën në ora 10:00, opozita kërkoi 3 ditë për ta analizuar projektligjin për buxhetin
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i ka kërkuar llogari ministrit të Financave, Hekuran Muratit lidhur me ‘urgjencën’ që po kërkohet lidhur me votimin e Projektligjit për Buxhet.
Pos tjerash, ajo ripërsëriti se LDK-ja po kërkon vetëm tri ditë kohë për të analizuar ligjin për buxhet.
“Ministër, nuk e shpjegove arsyen e urgjencës sot. Po të kërkohen tri ditë për ta analizuar ligjin e buxhetit, ligjin më të rëndësishëm brenda një viti kalendarik. Tri ditë po kërkojmë kohë. E vetmja arsye për të cilën na shkon mendja është se ju po kërkoni t’i shmangeni debatit në këtë seancë”, tha Bajrami.
Lidhur me këtë zhvillim, kryeministri Albin Kurti nuk ndodhet në seancën e Kuvendit pasi ka udhëtuar për në Mynih, dhe Bajrami, ashtu si kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar që i pari i Qeverisë të jetë prezent në një diskutim të tillë.










