Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona dhe ka sekuestruar tri armë gjatë një aksioni të realizuar në Podujevë.
Dy të dyshuarit janë arrestuar pasi kishin shpërndarë video dhe fotografi në rrjetet sociale, duke shfaqur kartela, duke pretenduar rrejshëm se janë të mbushura me para të gatshme për blerje.
“Gjatë operacionit policor janë kryer kontrolle në 3 lokacione në Podujevë, pas dyshimeve se dy të dyshuarit meshkuj kosovarë kanë shpërndarë video dhe foto në internet në rrjete të ndryshme sociale, duke shfaqur kartela për të cilat është postuar se janë të mbushura me shuma të ndryshme të parave dhe janë të gatshme për blerje, ku me këtë rast të dyshuarit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Me elementet e veprimeve të kryera të dyshuarit kanë konsumuar veprat penale ‘lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rreme dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit’, ‘vjedhje e identitetit dhe kredencialeve’ dhe ‘hyrja e paautorizuar kompjuterike’”, thuhej më tej.
Lidhur me rastin, gjatë kontrollit janë gjetur pajisje kompjuterike dhe dëshmi në vendin e ngjarjes, ku në cilësi të provave materiale janë sekuestruar:
– 2 llaptopë,
– 3 telefona mobilë,
– kartëmonedha imituese 5, 10, 20 euro me të cilat është stimuluar kryerja e veprës penale online,
– kartelë e bardhë,
– 3 armë pistoleta me gaz me 17 fishekë.
Me vendim të prokurorit, pas veprimeve procedurale të ndërmarra, dy të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt.










