Supremja ua ndërpret masën e paraburgimit nëntë personave për dallavere me vota

Gjykata Supreme ua ka ndaluar masën e paraburgimit nëntë të pandehurve për falsifikim të rezultateve të votimit.

Vendimi ka ardhur pas shqyrtimit të kërkesave të ushtruara kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prizren dhe atij të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe vërtetuar masën e paraburgimit ndaj tyre.

“Gjykata Supreme, me aktgjykimin Pml.nr.105/2026, ka aprovuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga mbrojtësit e të pandehurve në çështjen penale ndaj B.B., A.H., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., dhe I.P., duke ndryshuar vendimet e shkallëve më të ulëta dhe duke ndërprerë masën e paraburgimit për të gjithë të pandehurit. Të njëjtit janë liruar menjëherë për t’u mbrojtur në liri”, thuhet në njoftimin e Supremes.

Po ashtu, Gjykata Supreme ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të pandehurit H.P., duke ia ndërprerë masën e paraburgimit, për veprën penale falsifikimi i rezultatit të votimit, dhe duke e liruar të njëjtin për t’u mbrojtur në liri.

Gjykata Supreme, vlerësoi se janë përmbushur kushtet ligjore për ndërprerjen e masës së paraburgimit.