Petkoviq: Prishtina dëshiron të shfrytëzojë momentin në botë për njohjen e pavarësisë

Drejtori i të ashtuquajturës zyre serbe për Kosovën, e ngarkuar nga pushteti serb për propagandë kundër Kosovës, Petar Petkoviq, ka pretenduar se “pushteti në Prishtinë dëshiron të shfrytëzojë momentin aktual në botë për njohjen e pavarësisë së Kosovës”.

“Bëhet fjalë për shfrytëzimin e momentit, veçanërisht të një momenti të vështirë dhe të ndërlikuar në botë, që dikush ta ndihmojë Prishtinën të përmbyllë çështjen e “të ashtuquajturës” pavarësi”, ka thënë Petkoviqi në televizionin publik serb, RTS, në shërbim të pushtetit aktual, transmeton Paparaci.

Ai e ka shfrytëzuar edhe këtë rast për t’iu servilizuar liderit suprem serb, duke thënë se “për sa kohë është president i Serbisë  Aleksandar Vuçiqi, kjo nuk do të ndodhë kurrë”.

“Nuk kam nevojë të shpjegoj se çfarë do të thotë nëse nesër nuk do ta kishim arsimin tonë, spitalet tona, ku do të mjekoheshin fëmijët tanë, njerëzit tanë, spitalet tona janë vende ku mjekohen edhe serbë edhe shqiptarë, kudo që kemi qendra shëndetësore”, ka pretenduar Petkoviq.

Ai gjithashtu ka shtuar se Prishtina “e ka kaluar prej kohësh vijën e kuqe” dhe se është “kërcënuese” njoftimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se nga 15 marsi do të fillojë zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Automjetet.

“Është e domosdoshme që institucionet tona të mbeten në duar serbe, që serbët të mund të vazhdojnë të arsimohen, të mjekohen, të jetojnë në Kosovë, sepse me atë ligj ata tani duan t’i dëbojnë serbët që nuk kanë “të ashtuquajturat” dokumente të Prishtinës dhe të ndajnë familjet”, ka përfunduar propagandën e tij të radhës Petkoviqi./Paparaci.com