Simiq: Ligji për të Huajt rrezikon mbi 10.000 serbë të punojnë në Kosovë

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deklaroi se qëllimi i Ligjit për të Huajt është të rrezikojë më shumë se 10.000 serbë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë.

Simiqi, në një takim të përfaqësuesve politikë dhe institucionalë në Mitrovicën e Veriut, ka thënë se “asnjëherë asnjë anëtar i Listës Serbe nuk ka biseduar për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit me ndonjë përfaqësues ndërkombëtar apo zyrtar kosovar”, transmeton Paparaci.

“Publikisht dhe me përgjegjësi dua t’ju them se në të gjitha takimet e Listës Serbe që nga themelimi i saj, asnjë anëtar i saj nuk ka diskutuar në asnjë takim me ndonjë përfaqësues ndërkombëtar apo zyrtar kosovar për integrimin e shëndetësisë dhe arsimit. Nëse dikush thotë se ka pasur bisedime, ne e refuzojmë kategorikisht këtë. Kjo ka për qëllim përçarjen mes popullit tonë, dhe ne e dimë si përfundojnë përçarjet për ne”, ka pretenduar Simiqi.

“Në organizim të Listës Serbe kemi arritur te të dhëna konkrete se 80 për qind e njerëzve do të preken drejtpërdrejt nga ky ligj, si dhe më shumë se 3.000 studentë që studiojnë në Universitetin tonë. Nga 1.180 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë të Universitetit tonë, 550 prej tyre nuk mund të marrin dokumente. Këta janë njerëz që kanë jetuar këtu, por janë dëbuar me dhunë dhe nuk u është mundësuar të pajisen me dokumente”, ka vazhduar Simiq.

Ai ka thënë se në këto shifra nuk përfshihen personat me ndihmë sociale dhe pensionistët, si dhe njerëzit në zonat rurale apo ata që nuk kanë pasur mundësi të jenë në këto zona.

“Do të rrezikohen edhe priftërinjtë në Kishën Ortodokse Serbe. Na janë drejtuar njerëz, të cilëve të dy prindërit kanë dokumente të Kosovës, ndërsa fëmija i tyre nuk mund të marrë dokument të Kosovës. Çdo person që ka status martesor brenda sistemit serb nuk ka mundësi të marrë dokumente. Kur sipas këtij ligji dëshironi të merrni dokumente, ju pyesin nëse keni të ardhura… Të gjithë personat që punojnë në institucionet serbe nuk mund të marrin këto vërtetime. Nga 7.000 njerëz që jetojnë në Kosovë, 37 për qind kanë tentuar të marrin dokumente të Kosovës; të gjithë janë refuzuar dhe disa prej tyre janë urdhëruar të largohen nga territori i Kosovës. Ajo që është standard ndërkombëtar, që sipas prejardhjes keni të drejtë për dokumente, nuk është miratuar, sepse 57 për qind e njerëzve janë refuzuar”, pretendon Simiqi.

Ai ka thënë se kanë përgjegjësi të vazhdojnë luftën.

“Na janë besuar institucionet që të kujdesemi për to, sepse ato i përkasin Republikës së Serbisë dhe jo neve. Kushdo që vepron kundër kësaj dhe thotë se ka informacione të sigurta, dijeni se po vepron kundër jush dhe fëmijëve tuaj. Ne kemi përgjegjësi të vazhdojmë betejën, sepse jemi në tokën tonë”, ka përfunduar Simiqi./Paparaci.com