Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, pas zgjedhjes së Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është e gatshme për të organizuar një takim të ri në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Në një postim në rrjetin social “X” ka thënë se ky është një moment i ri për të avancuar marrëdhëniet BE-Kosovë dhe dialogun Beograd-Prishtinë.
“Pas më shumë se një viti bllokadë politike, formimi i qeverisë së re të Kosovës është një lajm inkurajues. Urime Albin Kurti. Tani e rëndësishme është që të ecet me shpejtësi në zbatimin e reformave. Kjo është mënyra më e shpejtë për të zhbllokuar mbështetjen e BE-së në vlerë prej qindra milionë eurosh dhe për të shënuar përparim në rrugën drejt BE-së”, ka shkruar ajo.











