Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputeti, Bedri Hamza, ka deklaruar se legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës po nis në një moment vendimtar për vendin, duke theksuar se proceset gjyqësore në Hagë nuk duhet të trajtohen si çështje partiake.
Sipas Hamzës, mbrojtja e së vërtetës, drejtësisë dhe shtetësisë së Kosovës në Hagë përbën obligim shtetëror dhe kombëtar.
“Kjo legjislaturë e re po nis në një moment vendimtar për Kosovën. Mbrojtja e së vërtetës, drejtësisë dhe shtetësisë në Hagë nuk është çështje partie, por obligim shtetëror e kombëtar,” ka deklaruar Hamza.
Ai ka bërë të ditur se në seancën e parë të punës, PDK-ja do të procedojë për votim një rezolutë të hartuar nga ekspertë të pavarur, e cila synon garantimin e një procesi të drejtë gjyqësor.
“Në seancën e parë të punës do ta procedojmë për votim Rezolutën e hartuar nga ekspertët e pavarur, e cila kërkon një gjykim të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, që mishëron standardet më të larta ndërkombëtare,” ka theksuar ai.
Hamza ka ftuar të gjitha partitë parlamentare që ta mbështesin këtë nismë, duke e cilësuar atë si çështje të dinjitetit dhe të interesit shtetëror.
“Presim mbështetjen e të gjithëve që besojnë në drejtësi, dinjitet dhe shtet,” ka përfunduar Hamza.










