“Franck Ribery u përpoq të më rrihte ndërsa isha në kopshtin tim, por policët e rrethuan dhe e shoqëruan deri te makina e tij”, ishte kjo një nga deklaratat e gjetura në një prej dosjeve të Jeffrey Epstein, e cila u publikua duke shkaktuar reagim të madh.
Nuk vonoi shumë dhe reagoi vetë protagonisti, emri i të cilit përmendet 6 herë në dosje, Franck Ribery.
Legjenda e Bayern Munchen dhe kombëtares franceze ka pohuar se ky është një informacion i rremë dhe në lidhje me këtë ngjarje ka nisur procedurat ligjore.
Ish-futbollisti ka njoftuar marrjen e masave dhe ndaj të gjitha mediave të cilat e publikojnë këtë informacion, që sipas tij është një sajesë dhe shërben për ti prishur imazhin. Akuzat ndaj Ribery janë disa mes tyre ajo e dhunës, por dhe prostitucion. Për këtë të fundit, ish-futbollisti ka qenë dëshmitar në një seancë gjyqësore në 2010ën, por nuk është dënuar për asnjë vepër penale.
Që prej shpërthimit të këtij skandali janë publikuar informacione për njerëz të njohur në fusha të ndryshme, jo vetëm të sportit, por madje dhe në nivelet më të larta të politikës botërore.










