Naim Murseli, i akuzuar për porositjen e vrasjes së bashkëshortes së tij të ndjerë Liridona Ademajt, kishte marrë 100 mijë euro në formë huazimi nga biznesmeni multi-milioner Behgjet Pacolli, tregon një kontratë e prezantuar sot në gjykatë.
Dokumenti është paraqitur nga prokurorja e rastit Javorka Perlinçeviq në seancën gjyqësore në rastin ndaj Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas kontratës, Murseli i obligohej Pacollit, për të cilin kishte punuar për një periudhë të gjatë, një shumë prej 100 mijë euro.
Në deklarimet e tij para trupit gjykues, Murseli ka pohuar se këtë borxh e ka kthyer, jo përmes një pagese të drejtpërdrejtë monetare por “në forma të tjera”, siç i ka cilësuar ai.
Ai ka theksuar se bëhet fjalë për një marrëveshje private mes tij dhe Pacollit, e cila, sipas tij, nuk ka lidhje me interes apo përfitim të jashtëligjshëm, por është shlyer përmes formave të tjera të dakorduara mes palëve.










