Arianti Koci, avokat i Mit’hat Lozhanit, i cili është arrestuar javën e kaluar në Serbi, ka alarmuar për shëndetit e klientit të tij.
Ai ka bërë me dije se rast kërkon reagim të menjëhershëm.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se Lozhani nuk po trajtohet mirë.
“Jam në Beograd, në cilësinë e avokatit, për rastin e arrestimit të Mit’hat Lozhanit nga policia serbe. Ky rast po shkon në drejtim që kërkon reagim të menjëhershëm. Janë marrë informacione për trajtim fizik të papërshtatshëm, marrje në pyetje të vazhdueshme dhe presion brenda paraburgimit”, ka shkruar ai, duke treguar për pretendimet që duhet të verifikohen menjëherë.
“Këto pretendime duhet me u verifiku menjëherë. Duhet: – ekzaminim mjekësor i pavarur; – dokumentim zyrtar i çdo lëndimi të mundshëm; – sqarim për mënyrën dhe kushtet e marrjes në pyetje; – masa konkrete për sigurinë fizike dhe psikologjike; – veçim nga të burgosurit tjerë, nëse ka rrezik për sigurinë e tij. Autoritetet që e mbajnë në paraburgim mbajnë përgjegjësi të plotë për jetën dhe shëndetin e tij. Çdo devijim nga standardet bie ndesh me Nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që ndalon trajtimin çnjerëzor apo degradues”, ka shkruar ai, duke kërkua transparencë.
“Prandaj, kërkoj transparencë dhe monitorim serioz ndërkombëtar. Mit’hat Lozhani gëzon prezumimin e pafajësisë. Kjo duhet me u respektu në çdo fazë të procedurës. Nëse ka proces të drejtë dhe transparent, e vërteta për këtë rast do të dalë; do të lirohet. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet me e trajtu këtë si çështje urgjente. Siguria e shtetasve tanë jashtë vendit është detyrim kushtetues. Për më tepër, asnjë qytetar i Kosovës nuk guxon me u lënë i pambrojtur. Sidoqoftë, jam në terren, duke e përcjell çdo zhvillim nga afër”, ka shkruar më tej ai.









