Anësori spanjoll që po befason në Premier: Ika nga Milan pasi e dija se aty nuk do të luaja sa duhet

Alex Jimenez, anësori i djathtë në pronësi të Milan, por që luan në huazim për Bournemouth në Premier League, ka folur për “Mundo Deportivo”: “Aktualisht jam i përqendruar te Bournemouth, por kthimi te Real Madrid do të ishte një ëndërr sepse u rrita atje. Është shtëpia që më mësoi të jem ai që jam sot”, tha spanjolli.

Më tej, 20-vjeçari, shtoi: “Tani e di që kam një kontratë këtu dhe jam shumë i lumtur, nuk e di se ku do të luaj në të ardhmen. Ndjeva sikur nuk do të merrja minutat që dëshiroja te Milan këtë sezon. E pashë këtë si një mundësi dhe mendoj se po e shfrytëzoj”.

“Fakti që trajneri është spanjoll ishte thelbësor, ndaj mendova se ai mund të më ndihmonte të ambientohesha. Gjithmonë më ka pëlqyer të shikoja Premier League dhe Bournemouth dukej si një ekip argëtues“, tha Alex Jimenez.

Jimenez është një produkt i sistemit të të rinjve të Real Madrid dhe me një përvojë të gjatë te Milan (34 ndeshje me fanellën kuqezi). Tani është një lojtar kyç në krahun e djathtë për Bournemouth të Iraola. Ai mbërriti në huazim, por tani janë përmbushur kushtet që ekipi anglez ta blejë atë përgjithmonë nëpërmjet klauzolës së detyrueshme të lirimit në kontratën e tij.

Ai është ndër lojtarët më të mirë të Premier League për sa i përket statistikave, siç janë driblimet e kryera në zona të rrezikshme dhe duelet ofensive të fituara. Kjo nuk është një arritje e vogël duke pasur parasysh nivelin jashtëzakonisht të lartë të konkurrencës në atë që është padyshim liga më e mirë në botë.

The post Anësori spanjoll që po befason në Premier: Ika nga Milan pasi e dija se aty nuk do të luaja sa duhet appeared first on Telesport.