Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka deklaruar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë të pacenueshme dhe se ato janë arritur përmes një rruge të drejtë historike dhe politike.
Në një postim të tij, Haziri ka vlerësuar se rruga drejt lirisë dhe pavarësisë së shqiptarëve ka kaluar fillimisht përmes rezistencës paqësore politike, ndërsa kryengritja e armatosur ishte mjet i fundit.
“Lufta për liri dhe pavarësi e shqiptarëve është realizuar përmes rezistencës paqësore politike. Ndërkaq, kryengritja çlirimtare e popullit të Kosovës përmes UÇK-së është e drejtë, si mjeti i fundit i politikës”, ka shkruar Haziri.
Ai ka theksuar se kryengritja çlirimtare ishte e domosdoshme për mbrojtjen e popullit dhe pronës.
“Pra, mbrojtja e familjes dhe pronës kulmoi në kryengritje të drejtë”, ka shtuar ai.
Haziri ka kujtuar gjithashtu krimet e kryera nga Serbia ndaj popullit shqiptar të Kosovës, duke i cilësuar ato si plagë ende të hapura.
“Në anën tjetër, krimet e Serbisë deri në gjenocid kundrejt popullit shqiptar të Kosovës janë plagë të hapura ende”, ka deklaruar ai.
Duke folur për proceset gjyqësore në Hagë, Haziri ka theksuar se drejtësia e Dhomave të Specializuara duhet të konfirmohet.
“Drejtësia e Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, duhet dhe pritet të konfirmohet”, ka shkruar Haziri.
Sipas tij, kjo drejtësi është e lidhur ngushtë me vendimet historike dhe proceset shtetformuese të Kosovës.
“Kjo drejtësi ndaj udhëheqësve të luftës, është e lidhur me të drejtën e vendosur më 2 korrik 1990, me 2 shtatorin e 1990, si ditë e organizimit ushtarak institucional… dhe e konfirmuar më 17 shkurt 2008”, ka theksuar ai.
Haziri ka rikonfirmuar bindjen e tij se qëllimi i luftës ishte i pastër dhe i drejtë.
“Liria dhe Pavarësia e Kosovës nuk mund të damkosen, sepse ishin qëllim i pastër dhe e drejtë. Kjo edhe do të rikonfirmohet së shpejti!”, ka shtuar Haziri.










