Nisin hetimet për manipulim të votave në Suharekë, ka të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se ka nisur hetimet për manipulim të votave në Suharekë.

Prokuroria ka theksuar se hetimet kanë nisur pas pranimit të informatave publike lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Suharekë.

“Hetimet kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale të parapara në Kapitullin XVIII të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), që ndërlidhen me shkeljen e të drejtave të votimit”, thuhej në njoftim.

“Duke marrë parasysh interesimin e opinionit publik dhe mediave, Prokuroria Themelore në Prizren njofton se gjatë ditës, pas intervistimit të të dyshuarve në polici, do të lëshohet një komunikatë shtesë me informacione mbi veprimet dhe zhvillimet e mëtejme hetimore”, thuhej më tej.