Policia e Kosovës ka konfiskuar armë, municion dhe pajisje të tjera në një shtëpi të pabanuar në fshatin Petkovc, afër Leposaviqit, dhe në lidhje me rastin një person është i dyshuar.
Në njoftimin zyrtar thuhet se më 9 shkurt Policia e Kosovës, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta policore në veri, ka marrë informacion se në një shtëpi të pabanuar në fshatin Petkovc, komuna e Leposaviqit, mund të gjenden armë ilegale, transmeton Paparaci.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendngjarje, ku gjatë kontrollit kanë gjetur dhe konfiskuar: 60 fishekë, tre karikatorë, një kuti metalike, një helmetë ushtarake, një xhaketë me stemën e Serbisë, një mbajtëse për shishe (ushtarake), një mbajtëse për thikë ushtarake, një pjesë të jelekut antiplumb (stiropor) dhe një çantë ushtarake”, thuhet në njoftim.
Shtohet se të gjitha veprimet e ndërmarra janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar hapjen e rastit “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
“Në lidhje me këtë rast, një person është identifikuar si i dyshuar dhe është në interes të policisë që ai të merret në pyetje. Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe i fton ata të raportojnë çdo informacion që ndihmon në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në polici, në numrin 192”, përfundon njoftimi./Paparaci.com










