Ish-kryetari i Apelit kritikon Gjykatën Speciale: Po e kryen më shumë punën e Serbisë se sa detyrën e saj

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala ka folur lidhur me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke shprehur kritika të ashpra ndaj rolit dhe veprimtarisë së kësaj gjykate.

Shala tha se, sipas tij, ajo që nuk arriti ta bëjë Serbia përmes institucioneve të saj gjyqësore, po ndodh tani përmes Gjykatës Speciale:

“Unë e kam thënë edhe më parë, atë çka nuk ka mundur ta bëjë Serbia dhe gjykatat e saja, sot po e bën Gjykata Speciale. Kjo është një gjykatë që po e gjykon lirinë dhe viktimën”, tha ai.

Ai shtoi se kjo gjykatë, sipas vlerësimit të tij, ka devijuar nga mandati për të cilin është krijuar.

“Më shumë po e kryen punën e Serbisë se sa që po e kryen detyrën e saj për çka është autorizuar”, shtoi ai për FrontOnline.

Duke folur për hetimet, Shala përmendi raportin e Dick Marty-t dhe çështjet që lidhen me të, duke pretenduar tejkalim të kompetencave.

“Me Dick Martyn kanë filluar hetimet, sa i përket trafikimit, por këta i kanë tejkaluar edhe ato dhe merren me çështje që s’janë kompetencë e saj.”, potencoi Shala për FrontOnline.

Ai kritikoi edhe mënyrën e sigurimit të provave dhe kohëzgjatjen e procesit gjyqësor.

“Edhe pse janë dhënë shumë shpenzime që 15 vite dhe më shumë se gjysmën e provave i kanë marrë nga Serbia”.

Shala përmendi edhe numrin e dëshmitarëve në procese të ndryshme gjyqësore, duke bërë krahasime.

“Hashim Thaçi e ka luftuar Serbinë si shtet agresor. Po më çuditë fakti se për Millosheviqin ishin 60 dëshmitarë, ndërsa për Thaçin ishin mbi 250 dëshmitarë”, deklaroi Shala.

Në fund, ai u shpreh për fazën aktuale të procesit dhe pritjet nga vendimi.

“I jepet tash fjala përfundimtare e të akuzuarve dhe më pas Gjykata merr vendim dhe nëse pak ka drejtësi këta duhet të lirohen”, përfundoi ai.