Hiç më larg se më 31 janar, Vetëvendosje me dy anëtarët e saj në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve refuzuan të shpallnin rezultatet e Listës Serbe nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025.
Me tre vota për, dy kundër dhe pesë abstenime nuk u shpallën rezultatet e Listës Serbe, teksa kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi e vlerësonte si të pa arsyeshme vendimin për të mos shpallur rezultatet.
Dhjetë ditë më vonë, pra sot, KQZ-ja përmbylli zyrtarisht krejt procesin e zgjedhjeve të fundvitit.
Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi nga VV-ja ishin protagonistët e lojës së parties në pushtet, mirëp sot vetëm ngritën dorën, pa bërë zhurmë.
Në mbledhjen e mbajtur, anëtarët e KQZ-së votuan pro-certifikimit të rezultateve, duke i hapur rrugën konstituimit të institucioneve pas një viti ngërç total institucional.
Në nisje të mbledhjes kryesuesi Kreshnik Radoniqi tha se nuk ka pasur ndryshim edhe pas vendimeve të Gjykatës Supreme dhe se rezultati mbetet i njëjtë.
Certifikimi vjen pasi që Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara gjashtë ankesat e fundit në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025 e nxorën Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese.
Kjo parti i ka fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës gjashtë ulëse.
Pos 10 ulëseve të garantuara për komunitetin serb, dy ulëse do t’i zënë dy deputetë nga Partia Turke Demokratike e Kosovës. Kurse, nga një ulëse kanë fituar partitë e tjera të komuniteteve joshumicë: VAKAT, Unioni Social Demokrat, Partia e Re Demokratike, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës (IRDK), Partia Liberale Egjiptiane, Partia Socialdemokrate e Ashkalinjve, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës dhe Partia e Bashkuar Gorane.










