Hapet konkurs për projektimin e Memorialit për Adem Jasharin në Prishtinë

Është folur shpesh e gjatë se pse Prishtina nuk ka statujë apo diçka që i kushtohet familjes Jashari. Kuvendi Komunal i Prishtinës, tashmë ka hapur konkurs në të cilin pret projekte për ndërtimin e memorialit kushtuar familjes Jashari. I njëjti planifikohet të ndërtohet mbi nënkalimin që do bëhet në rrugën “Agim Ramadani”.

Në mes të ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Xhamisë së Gurit, planifikohet të ndërtohet një nënkalim për vetura e mbi memoriali përkujtimor kushtuar komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka hapur edhe njëherë një tender, që pret ofertues për projektimin e ndërtimit të këtij memoriali përkujtimor.

Në aneksin e dosjes së tenderit, janë edhe specifikimet teknike që janë të detyrueshme për operatorët ekonomik që aplikojnë.

Tek tregohet për historinë e familjes Jashari, aty shkruhet edhe për përafrimet e këtij projekti me vizionin e kryetari të komunës, Përparim Rama.

“Përafrimi me vizionin e kryetarit Përparim Rama: Ky projekt përputhet me vizionin e kryetarit Rama për një Prishtinë bashkëkohore, gjithëpërfshirëse dhe një fener të trashëgimisë kulturore. “Memoriali përkujtimor kushtuar familjes Jashari” do të kontribuojnë në këtë vizion duke: Ruajtur Kujtesën Historike: Nderimi i trashëgimisë së një ngjarjeje kyçe në historinë e Kosovës. Promovimi i vlerave universale: Memoriali bashkë ma hapësirën publike përreth shërben për shenjëzimin në kohë dhe hapësirë të sakrificës për vlerën universale për të jetuar të lirë. Përmirësimi i peizazhit urban: Integrimi i memorialit në strukturën urbane të Prishtinës, duke krijuar një hapësirë publike tërheqëse dhe të qasshme”.

Drejtori për transformim në komunën e Prishtinës, Gezim Kastrati tha se ky projekt pritet të marr formë, sapo që niveli qendror të jap dritën e gjelbër për rrugën “Agim Ramadani”.

“Nënkalimi është i paraparë të kryhet prej 8 deri në 12 muaj, mirëpo ne jemi në pritje që 1.5 vit dhe mendoj që me rregullimin e sheshit dhe hapësirën e e nënkalimit do ta kemi sheshin mbi varësisht prej propozimeve që do të vijnë ka me qenë një shesh që do e tregoj trashëgimin, atë gjenocid që ka ndodhë na familjen Jashari”, ka theksuar Gezim Kastrati – Drejtor për Transformim.

 

 

Kastrati tregoi gjithashtu pse herën e parë dështoi tenderi.

“Do ta kemi pjesën e sipërme që është paraparë dhe për të dytën herë është shpallë konkursi ndërkombëtar, sepse herën e parë kemi marr një numër të vogël të konkurruesve dhe zgjidhjet nuk kanë qenë të mjaftueshme, me gjithë respektin për konkurruesit tani jemi duke e pritur një projekt i cili do ta përfaqësoj apo do ta tregojë të gjithë atë që ka ndodhë në Prekaz”, ka deklaruar Kastrati.

Shuma totale për këtë projekt, është 150 mijë euro, e vetëm kontrata për hartimin e projektit kryesore, do të jetë 125 mijë euro.