Gjykatësi në Prizren në rolin e avokatit, i udhëzon të mos deklarohen në polici familjarët e arrestuar

Më 19 janar 2026, Policia e Kosovës në Prizren i ishte përgjigjur një thirrjeje për dhunë në familje në një fshat të Prizrenit.

Derisa po tentonin të flisnin me familjarët e viktimës, bazuar në raportet e zyrtarëve policorë, bashkëshorti i viktimës kishte tentuar ta sulmonte të njëjtën në prani të tyre, raporton Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, gjatë ndërhyrjes ata u sulmuan nga bashkëshorti, babai dhe vëllai i tij.

Derisa po sulmoheshin zyrtarët policorë, dëshmitar u bë edhe dikush me përgjegjësi të lartë publike.

Në raportet e tyre, zyrtarët policorë kanë treguar se si në vend të ngjarjes kishte shkuar gjykatësi i Gjykatës Themelore në Prizren, Floridin Osmanaj.

Osmanaj rezulton të jetë djali i axhës të personit, të cilin gruaja e kishte raportuar për “Dhunë në familje”.

Cili ishte roli i gjykatësit Floridin Osmanaj dhe çfarë udhëzime i dha i njëjti, tregojnë raportet e zyrtarëve policorë.

Bazuar në raportin e zyrtarit policor Samir Vehapi, Floridin Osmanaj me tu paraqitur në vend të ngjarjes ishte prezantuar si gjykatës.

“Gjatë kësaj periudhe, prezantohet një person me emrin Floridin Osmanaj si gjyqtar, i njëjti i rekomandon bashkëshortit të viktimës  që mos të jep deklaratë fare në Polici dhe në momentin kur kanë gjuajtur me gurë drejt nesh vjehrri, i njëjti ka qenë prezent aty, dhe në vazhdimësi kërkonte nga unë se “cila është arsyeja e arrestimit të djalit të axhës” ku unë i tregoj shkurt se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij”, ka treguar Vehapi.

Ndërsa në raportin shtesë të zyrtarit Vehapi, në të cilin tregohen veprimet më të detajuara të të dyshuarve dhe gjykatësit Osmanaj, thuhet se në vend të ngjarjes gjykatës Osmanaj ishte ftuar nga djali i axhës së tij, i cili edhe i kishte kërcënuar zyrtarët policorë, duke ju drejtuar me fjalët se të gjithë do të hyni në burg.

“Fillimisht kur kemi kontaktuar me personat e lartëcekur, vazhdimisht kemi pasur “kërcënime” me fjalët  se “Ne kemi prokurorë e gjykatës, e të gjithë do të hyni në burg” Kunati i viktimës ka telefonuar në praninë tonë një person që të vijë në vendngjarje, dhe pas disa minutash është shfaqur një person me emrin Floridin Osmanaj cili është prezantuar si gjykatës dhe i njëjti më ka pyetur mua “se cila është arsyeja që keni ardhur këtu?”, pasi e kuptova që është gjyqtar sepse ashtu u prezantuar ju përgjigja “Se arsyeja e ardhjes sonë këtu është se ka ankesë për dhunë në familje nga një familjar”, ka sqaruar Vehapi.