Distria Krasniqi ka shkëlqyer të shtunën në kryeqendrën e Francës. Dhe në fund e fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, që llogaritet gara më e famshme e xhudos.
Distria ishte e pandalshme në kategorinë deri 52 kilogramë. Në arenën e famshme “Bercy”, në praninë e rreth 15 mijë shikuesve, Distria në finale e mposhti spanjollen Ariane Toro Soler. Ndaj saj tani ka pesë fitore e një humbje.
Solerin e mposhti shumë shpejt, për 27 sekonda. Ndaj saj realizoi hedhje të bukur për Ippon.
E arta e fituar të shtunën është e katërta e Distrisë në Paris. Këtë garë e ka fituar edhe në vitet 2020, 2023 e 2024. I ka po ashtu dy të argjendta e tri të bronzta. Në kryeqendrën franceze e fitoi edhe të argjendtën olimpike dhe tashmë i ka plot 10 medalje në Paris.










