Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare dhe ish të burgosurit politik, Imer Grainca.
Aliu e ka vlerësuar të ndjerin si një figurë me kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke theksuar rolin e tij në organizimet kombëtare dhe luftën çlirimtare.
Telegrami i plotë i ngushëllimit nga Kryetari Agim Aliu:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me dhembje e pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të dalluar të çështjes kombëtare, ish të burgosurit politik, udhëheqës i organizatave dhe pjesë e grupeve për çlirimin e Kosovës qysh në vitet e hershme, kryetar i Partisë së Unitetit Kombëtar në Gjermani, luftëtar i lirisë në radhët e të lavdishmes – Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kontributplot në institucionet e sigurisë në Kosovën e çliruar, bashkëqytetari dhe bashkatdhetari ynë fisnik, Imer Grainca.
Vepra e tij lavdiplote e kontributi i themeltë për lirinë e pavarësinë e Kosovës, sakrifica e pamatë për lirinë, skalisin portretin e emrin e tij, prej më të dalluarve veprimtar të çështjes kombëtare.
Ngushëllime të sinqerta familjes Grainca, bashkëveprimtarëve e bashkëluftëtarëve, miqve e të njohurve të të ndjerit. Shpirti i tij u prehtë në qetësinë e parajsës së gjithësisë!










