Lushi: Thaçi do të lirohet sepse dënimi i tij do të ishte dënim i shtetit të Kosovës dhe i Amerikës

Ish-eprori i UÇK-së, Uk Lushi, i cili jeton dhe vepron në ShBA, është shprehur optimist rreth verdiktit përfundimtar të Gjykatës Speciale për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka paralajmëruar se Thaçi do të lirohet. Në profilin e tij në Facebook, ai ka treguar disa arsyeje se pse Thaçi do të lirohet.

“Besoj që Hashim Thaçi, patriot shqiptar i Kosovës dhe njeriu më bashkëpunues me sponzorin e shqiptarëve, shtetin më të fortë në histori, ShBA-në, do të lirohet nga aktakuza e ngritur prej Gjykatës Speciale.

1) Hashim Thaçi do të lirohet sepse gjykimi i tij ka dëshmuar se ai është i pastër. 2) Hashim Thaçi do të lirohet sepse dënimi i tij do të ishte dënim i shtetit të Kosovës. 3) Hashim Thaçi do të lirohet sepse dënimi i tij do të ishte dënim i Amerikës dhe partneritetit amerikan me UÇK-në e shtetin e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka bërë me dije se ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të lirohen.

“Hashim Thaçi po fiton mbi kryqëzimin e tij në Golgotën e Speciales duke përjetuar një kalvar që nuk e ka përjetuar asnjë udhëheqës shqiptar i kohëve moderne. Viti 2026 i sjell Kosovës djalin e saj në shtëpi, me më shumë rrudha dhe vrragë vuajtjesh, por me më shumë pjekuri dhe dijeni. Hashim Thaçi do të lirohet dhe bashkë me shokët e tij do të kthehen në atdhe. Krejt bota e lirë do të gëzohet, përveç armiqve të Kosovës dhe disa shqiptarëve vetëurrejtës. Nëse Hashim Thaçi, pas kthimit të tij në Prishtinë si triumfator, hyn në politikë përsëri, unë, si përhera, do të jem kritiku i tij më i ashpër. Ama deri në lirimin e tij dhe shokêve të tij do të jem, si kam qenë gjatë kalvarit të tij, me të 100%”, ka shkruar ai.