Inspektim i madh: Mbi 100 lëndë nën auditim për shkelje në regjistrimin e pesticideve

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, bashkë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kanë nisur një inspektim të përbashkët lidhur me importimin, tregtimin dhe përdorimin e kimikateve, biocideve dhe pesticideve, me fokus të plotë në mbrojtjen e shëndetit publik, sigurinë ushqimore, kafshët dhe mjedisin.

Sipas njoftimit zyrtar, pas informatave të pranuara nga MBPZHR, është konstatuar se disa operatorë kanë keqpërdorur sistemin e regjistrimit, duke paraqitur pesticide si biocide, përfshirë edhe substanca të ndaluara nga direktivat ndërkombëtare.

“Për këtë arsye, institucionet kanë ndërmarrë masa konkrete dhe të pakthyeshme, në përputhje me standardet evropiane”, thuhet në njoftim.

Teksa, deri më tani, bazuar në njoftimin zyrtar, është iniciuar audimi i brendshëm për mbi 100 lëndë; është ndaluar importi, shpërndarja dhe përdorimi i substancave të rrezikshme; janë forcuar inspektimet në terren; janë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj çdo shkelësi, pa dallim; është rritur koordinimi ndërinstitucional për zbatim të plotë të ligjit; janë krijuar grupe punuese për formulimin e akteve dhe rregulloreve të reja; janë shfuqizuar vendime të lejeve për import, që kanë qenë në kundërshtim me ligjin, dhe është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e kimikateve, duke pamundësuar daljen e tyre në treg.

“Mesazhi është i qartë: askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë praktikë që rrezikon njerëzit, kafshët apo mjedisin nuk do të tolerohet”, thuhet në njoftimin e MMPHI-së.