Ish-kandidatja për kryetare të Komunës së Deçanit nga radhët e PSD-së, Natyra Kuçi, ka deklaruar se veriu i vendit është më i qetësuar nga veprimet ilegale, por sipas saj, “çdo ditë e më pak kemi kontroll në veri”.
E ftuar në ‘DPT te Fidani’ në Klan Kosova, Kuçi kritikoi veprimet e Qeverisë dhe KQZ-së që, sipas saj, cenojnë të drejtat e minoritetit serb dhe janë të motivuara nga populizmi, duke theksuar se është kundër Listës Serpska.
“Na mos me ra pre të ndikimit populist të Kurtit dhe nacionalizmit që e kanë. Duhet me kuptu se secili veprim në veri, qoftë ajo me dinarin që ka qenë pjesë e marrëveshjes por që e ka bë para kohës. Të gjitha këto veprime që i ka bë me njësinë speciale në veri, neve na kanë pru një marrëveshje më të keqe”, tha Kuçi.
“Sot e kemi marrëveshjen e Ohrit dhe Plani i Zbatimit që e pret Kurtin, dhe këto kamuflohen me veprime populiste, unë jam kundër Listës Sërpska”, vijoi tutje ajo.
“Jemi në një pikë që Kurti edhe me Kurteshin në KQZ bën veprime kundër minoritetit serb për konsum të brendshëm duke e ditë që janë joligjore dhe ato veprime nuk lejohen”, përfundoi Kuçi.










